Datë 11 nëntor, në ambientet e Akademisë Profesionale të biznesit u zhvillua një leksion i hapur i cili u mbajt nga Dr.Avv. Vicenzo Galatro, lektor pranë Universitetit të Sienës në Itali. Dr. Galatro, fillimisht u prit nga studentët e Fakultetit të Ekonomisë ku zhvilloi ligjëratën me temë “Strategjitë e reja të marketingut dhe komunikimit”. Në këtë takim të parë, Dr. Galatro solli një optikë shumë bashkëkohore në lidhje me rëndësinë e strategjive të reja të marketingut dhe komunikimit në dinamikën e zhvillimeve të reja të mjedisit teknologjik. Ky takim u zhvillua në një klimë të jashtëzakonshme interesimi nga studentët ç’ka u pasqyrua në pyetjet dhe diskutimet e shumta që ata drejtuan për çështjet e trajtuara gjatë leksionit. Më pas Dr. Galatro përvijoi axhendën e tij të takimeve në APB, duke u ndalur me studentët e Fakultetit të Drejtësisë me të cilët zhvilloi një leksion të hapur me
temë “Kontrata dhe Mbrojtja e Konsumatorit në Itali”. Përmes eksperiencës së tij profesionale si avokat ai trajtoi rëndësinë e kontratave dhe mbrojtjes së konsumatorit në Itali, jo vetëm në aspektin teorik por dhe atë praktik. Leksioni u ndoq me shumë vëmendje dhe nga stafi pedagogjik i Fakultetit të Drejtësisë, të cilët morën pjesë në mënyrë interaktive gjatë debatit me Prof. Galatron duke përcjellë kështu një frymë konstruktive në shkëmbimin e dijeve dhe eksperiencës mes palëve.