Sot, në 22 Maj 2015, në ambientet e Akademisë Profesionale të Biznesit, startoi Hapja e fazës së 2-të të projektit të AFAEMME “Gratë e Reja si Krijuese të Vendeve të Punës” (Young Women as Job Creators) i cili në fazën e parë u implementua nga Bashkimi për Mesdheun me mbështetjen e Qeverisë Norvegjeze, Kompanisë spanjolle të gazit natyror Fenosa, Komisionit Evropian dhe Bankës Evropiane të Investimeve (BEI). Në fazën e tij të parë, ky projekt pati sukses në disa vende si: në Marok, Palestinë, Jordani dhe Spanjë, duke sjellë së bashku rreth 800 studentë universitarë, e duke i ofruar atyre këshillim falas se si të krijojnë një biznes të ri dhe motivimin e tyre për të ndjekur karriera sipërmarrëse.
Faza e dytë e projektit (2015-2016), që startoi sot në mjediset e Akademisë Profesionale të Biznesit, synon të promovojë tranzicionin nga karriera arsimore drejt karrierës profesionale për studentet vajza të cilat janë gati në të diplomuar; për të mbështetur direkt gratë e reja, duke siguruar mjete specifike dhe ekspertizë për vetë-punësim dhe sipërmarrje; për të nxitur promovimin e mundësive të barabarta dhe kanë për qëllim të kontribuojë në krijimin e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike në vendet
përfituese. Për të arritur këtë qëllim kjo fazë parashikon katër lloj veprimtarish:
Një seri takimesh “Ditët e Grave Sipërmarrëse” të cilat do të organizohen në universitete të ndryshme.
Më pas, pjesëmarrëset të cilat tashmë kanë një ide biznesi do të kenë qasje të lirë në një shërbim konsulencë për biznese fillestare (mbështetje në formulimin e Planit të Biznesit) të ofruara nga bashkëpunimi me shoqata kombëtare biznesi.
- Pjesëmarrëset do të kenë mundësi të marrin pjesë në disa seminare trajnuese për të garantuar suksesin dhe qëndrueshmërinë e start-up-it të idesë fillestare të biznesit.
- Së fundi, pjesëmarrësit, që kalojnë me sukses modulet e trajnimit do të marrin këshillime individuale në të gjitha fushat për të arritur qëllimin e krijimit të biznesit.
Në vijim të implementimit të kësaj faze në mjediset e Akademisë Profesionale të Biznesit u zhvillua dhe hapja e“Women Entrepreneurship Day” ku morën pjesë studentet pjesëmarrëse vajza të Akademisë si dhe përshendetën disa personalitete institucionalë:
- Znj. Flutura Xhabija, “Sipërmarrja femërore dhe dimensionet e saj universitare”, Presidente e Shoqatës së Grave Profesioniste, Afariste dhe Zejtare;
- Fjala përshëndetëse e Z. Ylber Bezo, President i Akademisë Profesionale të Biznesit;
- Fjala përshëndetëse e Znj. Erisa Xhixho, Zv. Ministre e Integrimit Evropian;
- Fjala përshëndetëse e Znj. Tefta Demeti, përfaqësuese e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit dhe Sipërmarrjes;
- Fjala përshëndetëse e Znj. Nevila Xhindi, Zv.Kryetare e Bashkisë se Tiranes;
- Fjala përshëndetëse e Znj. Moza Hasani, përfaqësuese e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
Më tej sesioni vijoi me prezantimin e projektit me pjesëmarrëset sa i takon aspekteve ligjore, financiare dhe fiskale të hapjes së biznesit; ndarjes së studentëve dhe puna e tyre në grupe pune si dhe prezantimi i ideve nga grupet e punës. Në fund të ditës u zhvillua dhe ceremonia e shpërndarjes së certifikatave të pjesëmarrjes dhe vlerësimit nga Juria të dy grupeve fituese me idetë më të mira të biznesit.